Mësimi 7
Perëndia na jep mjete të efektshme në luftën tonë për të jetuar për Të. Pa i përdorur ato, do të dështojmë.
Jeta është e ndërlikuar. Krishterimi nuk është një besim që ka për qëllim të të mbrojë nga lëndimi. Përkundrazi, Perëndia ka ndezur një zjarr në zemrat tona dhe na ka thënë ta shfaqim atë flakë në errësirën ku kemi lindur. Ai na thotë ta jetojmë jetën tonë të vërtetë ndryshe nga ajo çka bota pret prej nesh.
Kur rilindim, kemi nevojë për ushqim të vazhdueshëm deri në fund të jetës. Hamë disa herë në ditë. Flemë disa orë çdo ditë. Pimë ujë rregullisht çdo ditë. Barasvlerat frymërore të ushqimit, ujit dhe gjumit, janë leximi i Biblës, lutja dhe adhurimi i Tij me të tjerët.
Bota është e mbushur me ligësi. Neve na kërkohet të jemi të pastër.[6] Ndërsa jetojmë këtë jetë, çdo ditë hidhet helm mbi zemrat tona. Nëpërmjet syve tanë, shohim shthurje. Nëpërmjet veshëve tanë, dëgjojmë sharje. Nëpërmjet duarve tona, ndiejmë dhimbjen e gjembave dhe grushtat e miqve. Nëpërmjet gjuhës sonë, shijojmë helm të hidhur. Nëpërmjet hundëve tona, nuhasim ndotjen që vjen nga vdekja.
Çfarë mjetesh na jep Perëndia për të larë papastërtinë, për të zmbrapsur errësirën dhe për të ndryshuar botën rreth nesh?
Së pari, siç e kemi diskutuar tashmë, Ai e zbuloi planin e Tij për jetën tonë në Bibël. Duke lexuar tekstin e Biblës dhe duke i ruajtur si thesar premtimet e Perëndisë brenda nesh, ne pastrojmë mendjet dhe forcojmë zemrat.
Së dyti, Ai na ka dhënë Frymën e Shenjtë që jeton brenda nesh, që ne të mund t'i lutemi Perëndisë dhe ta ndiejmë Atë që na përgjigjet. Kjo thellon bindjen tonë dhe na jep fuqi të jetojmë ndryshe dhe të ndihmojmë në ndryshimin e botës.
Së treti, Ai na krijoi për adhurim. Kur e adhurojmë Atë, ai kënaq dëshirat tona dhe fillon të shërojë plagët që na jep kjo botë.
Së katërti, Ai na krijoi që të gëzojmë dhe të duam njerëzit, kafshët dhe botën që na ka dhënë, brenda kufijve. Ne duhet t'i japim përparësi të qenit me njerëz të tjerë dhe të shijojmë botën natyrore.
Ne duhet t'i japim përparësi kalimit të kohës me njerëz të tjerë që besojnë në Perëndinë dhe e duan Atë ashtu siç e duam ne. Kjo na inkurajon dhe na forcon. Nuk na lejon të bëhemi të çekuilibruar. Kjo quhet kishë. Kisha nuk është një ndërtesë ku mblidhemi, apo një shërbesë në të cilën marrim pjesë; kisha janë njerëzit që e duan Perëndinë dhe njëri tjetrin. Kalimi i kohës me njerëz të tjerë që e duan Perëndinë (duke lexuar Biblën, duke u lutur, duke adhuruar dhe duke ndihmuar njëri-tjetrin të jetojmë siç na thotë Ai të jetojmë në Bibël) është thelbësor.
Shumë kanë pyetur veten nëse takimi me të krishterë të tjerë është i rëndësishëm. Por Bibla thotë se ky është thelbi. Jezusi u ringjall për të ndërtuar një bashkësi dashurie: që është e pastruar në Të dhe e kënaqur prej Tij. Ai e ilustroi këtë me sjelljen e Tij pas ringjalljes nga vdekja kur hëngri me miqtë e Tij, eci me ta dhe i vizitoi në dhomat e tyre.
Nëse kjo nuk mjafton për ne, kjo histori provokuese që na tregoi një prift mund të të ndihmojë:
Një ditë, një burrë erdhi te një prift dhe i tha: "Atë, vëllai im, Pali, është shkëputur nga unë dhe nga çdo i krishterë tjetër. Duhet të shkosh të flasësh me të dhe ta bindësh se duhet të kthehet!"
Prifti shkoi te shtëpia e Palit, trokiti në derë dhe iu tha të hynte.
Sapo hyri brenda, e gjeti Palin duke vështruar një zjarr vrumbullues. Ata u përshëndetën me kokë në heshtje, dhe prifti u ul pranë Palit dhe vështroi zjarrin. Pas një çasti, prifti mori një mashë metalike, kapi prej zjarrit një thëngjill të skuqur nga nxehtësia dhe e vendosi në dyshemenë e gurit pak jashtë zjarrit. Ai ia bëri me kokë Palit, buzëqeshi dhe priti. Pas disa minutash, thëngjilli u ftoh aq shumë sa nuk kishte më zjarr.
Prifti ia bëri me kokë Palit, e mori thëngjillin dhe e hodhi përsëri në zjarr. Pas disa çastesh, thëngjilli po digjej përsëri. Prifti qeshi, ia bëri me kokë edhe një herë të fundit Palit dhe u ngrit për të ikur.
Ne jemi ajo copë thëngjilli. Pa qënë në zjarrin e flaktë me të tjerët rreth nesh, në fund do të ftohemi dhe do të humbasim zjarrin tonë. Ne duhet të lexojmë Biblën vetë, të zhvillojmë një zakon të përditshëm të zellshëm lutjeje dhe adhurimi, dhe t'i japim përparësi kalimit të kohës me të krishterë të tjerë, në mënyrë që të ndihmojmë njëri-tjetrin të jetojmë me gëzim në bindje ndaj Perëndisë.
Nëse e bëjmë këtë, Perëndia do të na forcojë, inkurajojë dhe bekojë. Pastaj Ai do të na japë mundësi të ndajmë Ungjillin me njerëz që kanë po aq nevojë për të sa ne.
Thellohu Më Shumë
Lexo Galatasve 5:22-26, Psalmin 121:1-8 dhe 1 Korintasve 12:20 - 13:13. A e ke të qartë se si Perëndia dëshiron që ne të jetojmë? Lutu që Perëndia të të japë forcën për të jetuar dashurinë që lexon në këto vargje. Si mund të fillosh ta vësh në praktikë këtë lloj dashurie? Shkruaje, pastaj shko dhe bëje!