Mësimi 4

Kur folëm për atë që Jezusi arriti përmes vdekjes, pamë se besimi në ato që Ai thotë rreth vetes së Tij na jep mundësi të përfitojmë premtimet e Tij, por që premtimet e Tij të bëhen realitet në jetën tonë, na duhet gjithashtu një ndryshim në qëndrim dhe sjellje.

Ndryshimi fillon duke lexuar dhe besuar atë që Ai thotë për veten e Tij, dhe atë që Ai thotë për ne. Ja disa shembuj të asaj që Jezusi thotë për Veten në kontrast me atë që Ai thotë për ne.

  1. Jezusi është tërësisht i mirë. Ne jemi të këqinj.
  2. Jezusi na deshi. Ne e urryem Atë.
  3. Jezusi na zgjodhi. Ne e refuzuam Atë.
  4. Jezusi iu bind Perëndisë në mënyrë të përsosur. Ne u rebeluam kundër rregullave të Perëndisë.
  5. Jezusi vuajti me dëshirë për armiqtë e Tij, duke na përfshirë edhe ne. Ne hezitojmë të vuajmë madje dhe për të dashurit tanë.
  6. Jezusi ishte shërbëtori më i madh. Ne nuk duam të shërbejmë, por të na shërbejnë.
  7. Jezusi u ngjall nga të vdekurit. Ne jemi të destinuar të vdesim, megjithatë ka shpresë sepse Jezusi na ofron jetën e Tij.

Jezusi është Perëndi, por edhe njeri. Ai është njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë, dhe Ai zgjodhi të na dojë dhe të kërkojë dashurinë tonë ndërkohë që ne ishim armiqtë e Tij.

Askush nuk mund të ndryshohet nga Jezusi pa iu afruar Atij me përulësi. Jezusi nuk është një formulë magjike. Ai është një person që di çdo mendim në mendjet tona.

Bibla thotë se Perëndia u kundërvihet krenarëve, por u jep hir të përulurve. Nëse i afrohemi Jezusit duke dashur ta përdorim vetëm për të marrë atë që duam, nuk do të mirëpritemi kurrë prej Tij. Nëse nuk largohemi nga e keqja jonë dhe nuk fillojmë ta urrejmë atë, dhe nuk zgjedhim të mirën e Tij në vend të saj, nuk do ta njohim kurrë Atë ose dobitë e premtimeve të Tij.

Ky qëndrim pendese për të keqen, i shoqëruar me dëshirë të zjarrtë për mirësinë e Jezusit - dhe besim të fortë në premtimet e Tij - bëhet normaliteti ynë i ri. Kur lexojmë atë që thotë Ai në Bibël, dhe më pas lutemi dhe kërkojmë vullnetin e Tij, qëndrimet tona ndryshojnë nga krenare në të përulura. Ne fillojmë të bëhemi si Ai.

Jezusi i sheh zemrat tona. Ne duhet të mësojmë të urrejmë të keqen dhe të dëshirojmë mirësinë e Tij për ta zëvendësuar këtë të keqe. Më pas, kur t'i kërkojmë Jezusit të na falë, Ai do ta bëjë këtë.

Kur i afrohemi Atij me përulësi të vërtetë, Ai na takon në thyerjen tonë dhe fillon të shërojë zemrat tona. Kur e shohim veten tonë me sinqeritet dhe jetojmë jetën tonë në përputhje me të vërtetën se Perëndia ka zgjedhur të na dojë dhe të na rrisë në mirësinë e Tij, atëherë Perëndia na jep jetë, gëzim dhe dashuri.

A nuk është e mrekullueshme se si Ai na përfshin në këtë proces?

Nëse ndihesh i turpëruar për të këqijat e tua, mirë! Vrapo tek Ai. Gjunjëzohu me përulësi dhe falënderoje që të ka treguar të vërtetën rreth vetes sate. Kjo është dëshmi se Jezusi po të ndjek me dashuri.

Largohu nga e keqja jote, dhe në vend të saj kthehu te Jezusi. Thellohu në leximin e Biblës. Thellohu në lutje. Medito mbi atë se kush është Jezusi, dhe çfarë premton të bëjë në ty dhe nëpërmjet teje. Nënshtroju Atij që të mund ta kënaqësh dhe të jetosh në miqësi të ngushtë me Të. Kujto se dashuria dhe premtimet e Tij janë ato që të japin fuqinë dhe autoritetin për të jetuar një jetë të pastër.

Ky është një proces i vazhdueshëm, i përditshëm. Kur dështon, mos u bë pre e fajit apo mos u ndje i pashpresë. Momenti kur dështon është momenti kur ke më shumë nevojë të kthehesh tek Perëndia. Ideja se e keqja jote është më e fuqishme se Perëndia është qesharake dhe krenare. Jezusi të deshi kur ti jetoje kundër Tij. Sigurisht që do të të falë tani që je fëmija i Tij! Ai është më i fortë se e keqja jote, dhe të do më shumë sesa ti e urren veten. Besoje këtë dhe nuk do të humbësh shpresën.

Thellohu Më Shumë

Lexo 1 Gjonit 1, Efesianëve 5:8, dhe Gjonin 11:9-10, pastaj shkruaj atë që kupton rreth faljes dhe çfarë do të thotë "të ecësh në dritë". Lutu për këtë, pastaj diskuto hapur me një mik të besuar të krishterë. A po ecën ti në dritë? Nëse jo, çfarë ndryshimi mund të bësh sot për të ardhur në dritë?

Prapa Listë Listë Përpara