Mësimi 2
Pse duhej të vdiste Jezusi mbi një kryq?
Pa iu përgjigjur asaj pyetjeje, lajmi i mirë i Perëndisë nuk ka kuptim.
E vetmja mënyrë për të kuptuar pse, është të dëgjojmë përgjigjen e Perëndisë. Perëndia thotë se Ai zgjodhi me vullnetin e Tij ta përjetojë vetë jetën tonë dhe pastaj të vdesë për ne që të mund të jemi të lirë nga mëkati, që të mund të pajtohemi me Të, dhe që Ai të mund të fitojë dashurinë dhe përkushtimin tonë.
Përse veproi në këtë mënyrë? Sepse Ai zgjodhi kështu.
Perëndia thotë se jeta qëndron te gjaku. Falja është e mundur vetëm kur derdhet gjak i pastër, dhe vetëm gjaku i pastër mund të japë jetë të përjetshme sepse nuk është nën mallkimin e vdekjes. Kjo është arsyeja pse Jezusi, i vetmi njeri vërtet i pastër, zgjodhi vullnetarisht të vdesë për ne.
Perëndia premtoi përgjatë historisë se do të vdiste për ne. Kur Jezusi jetoi atë që ishte profetizuar, Ai tregoi se premtimet e Perëndisë janë të vërteta dhe të besueshme. Kështu, Jezusi përmbushi mbi 300 profeci të shkruara shumë kohë përpara se Ai të lindte.
Le të shohim një listë me disa nga ato që Jezusi arriti duke zgjedhur të vdiste.
- Ai vdiq për të na sjellë te Perëndia.
- Fryma e Tij na solli jetë. Ndërsa vdesim ndaj së keqes sonë, na jepet jeta nga Fryma e tij.
- Ai u rrah për mëkatin tonë, dhe dënimi që Ai mori na sjell paqe dhe shërim.
- Bindja e Tij përmbushi profecinë.
- Ai pagoi borxhin tonë te Perëndia kur u gozhdua në kryq, duke plotësuar drejtësinë e Perëndisë.
- Ai u braktis që ne të mund të jemi të mirëpritur.
- Ai dha jetën e Tij vullnetarisht që ne të mund të marrim jetën e Tij. Kështu Ai ofron shkëmbimin e jetës së tij kundrejt tonës.
- Ai dha shembullin e shërbimit dhe vetëmohimit për të cilin na thërret, duke sjellë pastërti në botë.
- Ai mori mallkimin tonë duke u varur në një dru që ne të mund të jemi të lirë nga mallkimi i skllavërisë ndaj së keqes.
- Ai riparoi atë që Adami prishi. Adami, njeriu i parë i krijuar, lindi pa dëshira të këqija, por veprimet e tij të këqija sollën vdekjen në botë. Jezusi lindi pa dëshira të këqija, por vdekja e Tij pa mëkat dhe me vullnet të plotë solli jetën në botë.
- Ai është fillimi dhe fundi, kështu që e gjithë jeta kalon përmes Tij.
- Ai shijoi vdekjen që ne të mund të shijojmë jetën. Edhe pse nuk kishte nevojë, Ai përjetoi çdo gjë për të treguar se Ai ka autoritet mbi çdo gjë.
- Ai ishte shërbëtori më i madh, duke dhënë jetën e Tij për njerëzit që e urrenin. Me këtë, Ai tregon dashurinë e Tij më thellësisht sesa mund ta tregonte çdo veprim tjetër.
- Gjaku i Tij i përsosur shëron sëmundjet tona dhe na jep jetë që nuk mbaron.
Çfarë morie e jashtëzakonshme arritjesh dhe premtimesh! Çfarë do të thonë ato për ne?
Perëndia thotë se kur ne besojmë që Jezusi vdiq dhe përmbushi çdo gjë për ne, ne arrijmë të përjetojmë shpërblimet që Ai fitoi. Jezusi mori mallkimin tonë që ne të çliroheshim nga mallkimi i së keqes. Ky premtim na jep besim se ndërsa gjejmë jetën dhe gëzimin tonë tek Ai, Ai na jep forcë për ta dashur dhe për t'iu bindur Atij në vend që të kënaqemi me të keqen.
Nuk duhet të ndihemi pa shpresë kur shohim zakonet e këqija që nuk kemi mundur t'i lëmë më parë. Jezusi pagoi borxhin tonë që Perëndia të na shohë si të pastër. Ky premtim na jep siguri se asgjë nuk mund të na ndajë prej Tij.
Ne jemi të shpëtuar nga hiri i Perëndisë e jo nga ato që bëjmë ne, prandaj nuk mund të krenohemi me aftësitë tona. Megjithatë, një ndryshim në jetën tonë konfirmon se besimi ynë në Perëndinë dhe dashuria për Të është e vërtetë. Për shembull, nëse një burrë thotë se e do gruan e tij, por nuk e vë atë në vend të parë dhe nuk e trajton me dashuri, ai po vërteton se nuk e do vërtet. Stili i tij i jetës i bën fjalët e tij të pakuptimta edhe nëse ai ndien dashuri të madhe për të.
Besimi ynë në atë se kush është Perëndia dhe në atë që Ai premton, na jep arsyet dhe fuqinë që na duhen për të jetuar jetën që Ai kërkon nga ne. Bibla thotë se kjo ndodh përmes Frymës së Shenjtë dhe se Fryma e Shenjtë është garancia jonë (dëshmia) se i përkasim Jezusit dhe konsiderohemi të drejtë për shkak të sakrificës së Tij.
Besimi ynë te Jezusi na jep forcën të dëshmojmë se kush jemi si të krishterë duke jetuar një jetë të pastër. Kjo nuk do të thotë se do të jemi të përsosur, por nëse jemi të krishterë, Perëndia do të jetë duke na përsosur.
Dhe nëse mbetemi besnikë, do të bëhemi plotësisht të përsosur në jetën e ardhshme.
Jezusi tha se ne jemi si degët e një hardhie. Kur bëhemi të Tijët, fillojmë të marrim jetë nga Ai si një degë në hardhi. Rrënjët e Tij na japin ushqim dhe na ndihmojnë të rritemi ndërsa Perëndia vazhdon të na krasitë që të japim fryt të mirë. Fryti që Ai bën të rritet në ne është dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia dhe vetëkontrolli.
Nëse jeta jonë ndryshon nga Fryma e Perëndisë përmes besimit tonë në jetën dhe vdekjen e Jezusit për ne, atëherë ndryshimi në jetën tonë dëshmon se besimi ynë është i vërtetë. Këto premtime na japin sigurinë se ajo që Ai arriti me vdekjen e Tij është e jona.
Ne nuk shpëtohemi nga fryti i Frymës. Nëse praktikojmë vetëkontrollin dhe kemi paqe, nuk është kjo ajo që na shpëton. Por nëse jetojmë një jetë të pafrytshme, duhet të pyesim veten nëse jemi të krishterë.
Gjaku i Tij është uji, dhe jetët tona janë degët. Qëndro në dritën e Birit për t'u forcuar dhe për t'u pjekur.
Thellohu Më Shumë
Lexo Isaian 52:13 - 53:12, një pjesë profecie e shkruar rreth 700 vjet përpara se të jetonte Jezusi. Pastaj lexo Gjonin 19:16-42. Shkruaj mendimet dhe pyetjet e tua rreth këtyre pjesëve dhe ndaji me një të krishterë tjetër. Si të prek emocionalisht ideja se Jezusi vdiq për të të shëruar?